Ambasada e Kosovës në Gjermani ka konfirmuar se edhe tre shqiptarë kanë vdekur në një aksident trafiku në Gjermani.
Më 13 tetor në Bruckerg të Bavarisë treni kishte shkelur për vdekje dy vëllezër nga Deçani, derisa dje në Meersburg të Baden-Württembergut raportohet se tre shqiptarë nga Kosova kanë vdekur në një aksident gjatë udhëtimit për në Zvicër.
“Java që po lëmë prapa ishte e zezë për Kosovën dhe shqiptarët. Në Gjermani kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të rënda pesë bashkatdhetarë”, shkruan Ambasada.
Ambasada e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe njofton që në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë është në kontakt të afërt me autoritetet gjermane për sqarimin e rrethanave të aksidenteve në Bruckerg të Bavarisë ku humbën jetën dy vëllezër dhe Meersburg të Baden-Württemberg ku kanë humbur jetën edhe tre shqiptarë nga Kosova gjatë udhëtimit për Zvicër.
Për vdekjen e tre shqiptarëve ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se viktimat janë nga Ferizaj.
“Lajmi për tre bashkatdhetarë të tjerë të vdekur në Gjermani është jashtëzakonisht i rëndë. Java që lëmë është e rëndë për Kosovën. Të moshës 12, 18 dhe 35 vjeç janë viktimat e radhës, të familjes Krasniqi nga fshati Rahovicë të Ferizajit, së cilës ju shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta. Lutem që tragjedi të ngjashme të mos përsëriten”, ka shkruar Pacolli.