Gjykata Themelore e Ferizajt ka dënuar me gjashtë vjet burgim shtetasin kosovar K.H. , pasi ai në shtator të vitit të kaluar kishte ndihmuar në vjedhjen e një filiale të bankës “Raiffeisen” në Shtime.
K.H. akuzohet për veprat penale grabitje në ndihmë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri, të pandehurit i ka shqiptuar dënimin me burgim prej pesë vjetëve për ndihmë në grabitje, dhe një vit e gjysmë për mbajtje në pronësi apo kontroll ose posedim të paautorizuar të armë.
Konform dispozitave gjykata të akuzuarin e ka gjykuar me dënim unik burgimi me kohëzgjatje prej gjashtë vjetëve dhe gjobë prej 500 euro.
“I pandehuri K.H akuzohet se në shtator 2019, si anëtar i grupit të armatosur, me dashje ka ndihmuar anëtarët tjerë të grupit dhe tre të pandehurve tani të panjohur, në kryerjen e veprës penale të grabitjes, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake për kryerjen e veprës penale të grabitjes në “Raiffeisen“ Bankë në Shtime, iu ka premtuar paraprakisht se do t’i fshehë provat e veprës penale, kryesit si dhe mjetet e përdorura për kryerjen e kësaj vepre penale. I pandehuri A.K i cili gjendet në arrati, së bashku me tre të pandehurit tani të panjohur, të armatosur me armë automatike me maska të vendosura në kokë, kanë shkuar në Shtime tek filiali i Raiffeisen Bankë, me ç’rast me një çekanë kanë thyer derën e hyrjes së bankës dhe kanë depërtuar brenda, pastaj me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e punëtorëve të bankës me anë të armëve, kanë përvetësuar 2.540 euro dhe 290 franga zvicerane pronë të bankës, pastaj janë larguar nga objekti i bankës dhe kanë shtënë disa herë me pushkë automatike në mënyrë të pakontrolluar duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre”, thuhet nga Gjykata. “Të njëjtit kanë ikur në drejtim të fshatit Jezercë dhe kur arritën tek një restorant kanë shkrepur edhe disa fishekë në drejtim të policëve, më pas kanë braktisur veturën duke e djegur atë”.