Kronikë

Dyshohet se si pjesë e ISIS-it luftoi në Siri, ngrihet aktakuzë ndaj një personi

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.M., për të cilin dyshohet se ka marrë pjesë në luftërat e Sirisë si pjesë e organizatës terroriste ISIS.

Madje sipas Prokurorisë, i pandehuri ka ofruar edhe fonde për qytetarët e Kosovës që ishin të interesuar për të shkuar në Siri, që t’i bashkëngjiten kësaj organizate.

I pandehuri akuzohet edhe se me ligjërata në Kosovë ka bërë thirrje publike që njerëzit t’i bashkohen ISIS-it në Siri e Irak.

“Me këto veprime i pandehuri A.M. ka kryer veprat penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’ nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, ‘Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit’ nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe ‘Rekrutimi për terrorizëm’ nga neni 139 të KPRK-së”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Speciale.