Dy zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, i janë drejtuar për herën e dytë Gjykatës së Apelit, duke kërkuar që ata t’i lirojë nga akuzat për marrje ryshfeti apo që rasti i tyre të kthehet sërish në rigjykim.
Kjo, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti, për herën e dytë, të akuzuarit Hajdari dhe Tahirsylaj i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Gjykata e shkallës së parë, pas rigjykimit, të akuzuarin Hajdari e ka dënuar me dy vite burgim dhe 25 mijë euro gjobë, kurse të akuzuarit Tahirsylaj i ka shqiptuar dënim me kusht në kohëzgjatje prej katër muajve dhe dënim me gjobë prej 4 mijë euro.
Dënimi i shqiptuar ndaj Hajdarit, është i njëjti sikurse që shkalla e parë kishte shqiptuar me aktgjykimin e saj në korrik të vitit të kaluar gjatë gjykimit të parë, kurse ndaj Tahirsylës, shkalla e parë në atë kohë kishte shqiptuar një dënim më të ashpër, dhe atë, një vit burgim me kusht dhe 8 mijë euro gjobë.
Dy të akuzuarit, ashtu sikurse në gjykimin e parë edhe pas rigjykimit ishin liruar nga akuzat për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Edhe
Burg dhe gjobë për dy ish-zyrtarë të AKP-së që morën ryshfet
Ky rast ishte kthyer në rigjykim në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata e Apelit, pasi që ajo kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përfshirë me shkelje esenciale të procedurës penale.
E kthimin e rastit sërish në rigjykim e kërkuan në seancën e së hënës para kolegjit të Apelit, mbrojtësit e dy të akuzuarve.
Avokati Ramë Gashi, që në këtë çështje mbron të akuzuarin Hajdari, tha se pas kthimit të rastit në rigjykim, shkalla e parë nuk ka zbatuar asnjë udhëzim të dhënë nga ana e Apelit.
Madje, në rigjykim, siç tha Gashi, gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje edhe më të mëdha se sa herën e parë.
“Jemi te bindur tanimë që Gjykata Themelore ka shkelur një nder parimet themelore që është gjykimi i drejtë dhe mënyra si është gjykuar ky rast e vërteton ketë. Që nga fillimi i kësaj çështje, mbrojtja ka ngritur disa aspekte sa i përket kualifikimit për veprën penale të cilat nuk janë marr parasysh. Nuk janë dëgjuar argumentet tona e as ato të Apelit. Në rigjykim, shkalla e parë nuk është lodhur fare ta dëgjoj vendimin e Apelit., asnjë nga udhëzimet e tij nuk janë zbatuar as edhe një germë, përkundrazi shkalla e parë ka bërë shkelje edhe më të mëdha”, tha Gashi.
Tutje, Gashi tha se Themelorja nuk kishte pranuar asnjë propozim të bërë nga ana e mbrojtjes, kurse krejt në fund, i mbrojturi i tij, siç tha ai, ishte dënuar si zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, kur i njëjti kishte qenë zyrtar i AKP-së.
Për fund, Gashi tha se nëse i mbrojturi i tij nuk lirohet plotësisht nga akuza atëherë në rast së rasti kthehet në rigjykim, trupi gjykues në shkallë të parë duhet të ndërrohet.
Edhe
Dy zyrtarë të AKP- së, për keqpërdorime, dënohen me nga dy vjet burgim
“Është për t’u habitur një qëndrim kaq i fortë dhe jo i drejtë i gjykatës së shkalles së parë. Jemi shpallur fajtor për një vepër penale e cila nuk është e qëndrueshme sepse duhet te plotësohen disa elemente qe janë evidente që në ketë rast nuk janë plotësuar. Nëse kjo çështje kthehet ne rigjykim, ne kërkojmë që trupi gjykues të ndërrohet pasi ata nuk mund të jenë më objektiv”, përfundoi fjalën e tij, avokati Gashi.
Kërkesa të njëjta për gjykatën e shkallës së dytë, pati edhe mbrojtësi i të akuzuarit Tahirsylaj, avokati Behar Ejupi.
Sipas Ejupit, vet dëshmitarët në shkallë të parë e kanë vërtetuar pafajësinë e klientit të tij andaj për këtë arsye, Ejupi i propozojë Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.
“Që nga fillimi në nuk jemi pajtuar me ketë çështje pasi nuk ka pas prova që Taulanti ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor. Vet dëshmitari ka thëne se, policia paraprakisht ka kërkuar nga ana e tij që paret t’ia dërgoj Taulantit dhe dëshmitari ka thëne se këto pare nuk po du me ja qu Taulantit që me marr njërin në qaf. Prokuroria edhe me anë të provave të fshehta nuk ka arritur te sjell prova për ketë çështje”, tha në fjalën e tij, Ejupi.
Ankesë kundër aktgjykimit të Themelores ka bërë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë duke kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë edhe për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe të akuzuarit Tahirsylaj dënimi me kusht t’i shndërrohet në dënim me burg.
Ndryshe, Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i ngarkonte të pandehurit Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, se si persona zyrtarë në AKP, kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Edhe
Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vjet burgim për ryshfet
Të njëjtit, pretendohej se kanë kërkuar 20.000 euro nga i dëmtuari, Ramush Misini për t’ia hequr barrën tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), lidhur me një tokë të blerë nga AKP-ja.
Tutje, sipas prokurorisë i pandehuri Hajdari, më vonë ka pranuar 15.000 mijë euro nga i dëmtuari Misini, që i njëjti ta shlyej borxhin prej 517.042.09 në ATK, me të cilin borxh kjo e fundit, e kishte ngarkuar fabrikën “IBG”, një pjesë të së cilës e kishte blerë familja Misini nga AKP-ja, raporton Betimi për Drejtësi.