Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur gjatë mbrëmjes të së dielës në Drenoc të Klinës.
Në këtë aksident të përfshirë ishin një autobus dhe një veturë, ndërkaq dy personat nuk kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i ka thënë KOHËS se ky aksident ka ndodhur rreth orës 20:30.
“Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 20:30 në Drenoc të Klinës. Aksidenti ka ndodhur në mes një autobusi dhe një automjeti, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë Gashi.
Ai më tej njoftoi se të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor.