Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy të dyshuar për dhunë familjare në Skenderaj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka theksuar se bazuar në deklaratën e viktimës, ndaj tij, dy të dyshuarit, anëtarë të së njëjtës familje kishin ushtruar dhunë, me ç’rast viktima ka kërkuar tretman mjekësor.
“Hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj, lidhur me rastin kanë ndërmarrë veprime hetimore, ku mbi dyshime të bazuara është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarve që ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një arme të llojit pistoletë për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje”, thotë Zahiti.
Sipas tij, nga hetimet e deritanishme, bëhet e ditur se ngjarjes ndërmjet anëtarëve të familjes ka paraprirë një kontest pronësorë.
“Ndërsa pas procedurave të nevojshme intervistuese, dy të dyshuarit janë liruar ne procedurë të rregullt”, thotë Zahiti.