Një 18-vjeçar hyri të shpëtojë dy të mitur në plazhin e Durrësit të enjten. Ai ia doli të shpëtonte të miturit, njërin prej të cilëve e kishte vëlla, por vetë vdiq mes dallgëve të detit.
Policia e Shtetit reagoi të premten, ku bëri të ditur se roja bregdetare e kishte vendosur me kohë shenjën paralajmëruese për të mos u futur në det.
Mirëpo, pavarësisht shenjës së flamurit të kuq, të miturit ishin futur për t’u larë në det, thotë Policia.
Pas disa minutash, të miturit i kanë kërkuar ndihmë një shtetasi që po lundronte me një varkë me pedale afër tyre.
“Për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe shtetasi A. K., vëllai i njërit prej të miturve. Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, ndërkohë që 18-vjeçari A. K. nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta”, thuhet në njoftim.
Prokuroria po vazhdon me hetimin e plotë të kësaj çështje.