Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Disa raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Disa raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Në një rast, në fshatin Mirofc të Podujevës, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa theksohet se fëmijët i ka lënë me dëshirë nën përkujdesje të bashkëshortit. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në një rast tjetër, në rrugën “Fehmi Agani” në Lipjan, një grua kishte raportuar po ashtu se ajo dhe bashkëshorti janë kanosur nga babai i saj. Rasti cilësohet si “dhunë në familje dhe kanosje”. Lidhur me rastin janë intervistuar i dyshuari dhe ankuesit, ndërsa rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

Kanosje dhe dhunë në familje është raportuar edhe në fshatin Duhël të Suharekës. Edhe aty viktimë është një grua që kishte pësuar dhunë fizike nga burri bashkëshorti i saj. Ky rast nuk është raportuar nga vetë viktima, pasi burri e kishte kanosur. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rrugën “Skënderbeu” të Gjakovës një burrë ka raportuar se është sulmuar nga i biri i tij. Lidhur me këtë rast është arrestuar i dyshuari, që më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë është raportuar edhe një rast tjetër i dhunës në familje. Në rrugën “Çamëria”, u raportua se një burrë kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.