Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dhunimi i 11-vjeçares, 40 vjet burgim për katër persona

ngacmim, dhunim, policia e kosoves, hetimet, u dhunua, vajza, gruaja

Foto: Ilustrim

Me 40 vjet burgim në total janë dënuar katër persona për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë vitin e kaluar, ka njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës të premten. Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprave penale për të dyshuarit, duke thënë se s’ka gjetur që e dëmtuara të ketë qenë e trafikuar apo viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz.

Sipas njoftimit, i akuzuari E.R është shpallur fajtor për veprën penale dhunimi dhe ndaj tij është shqiptuar dënim prej 15 vjetësh.

I akuzuari XH.S – i mitur është shpallur fajtor për veprën penale dhunimi po ashtu, dhe është dënuar me burgim prej 8 vjetësh.

I akuzuari tjetër po ashtu i mitur G.R. është shpallur fajtor për dhunim, keqpërdorim të fëmijëve në pornografi dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit dhe është dënuar me 9 vjet ndërkaq i akuzuari G.J., po ashtu i mitur, është shpallur fajtor për veprën penale dhunimi dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi duke u dënuar me 8 vjet burgim.

I akuzuari SH.K është liruar për veprën penale Shërbime Seksuale të viktimës së trafikimit.

Rasti i 11-vjeçares pati tronditur vendin verën e shkuar, pas raportimeve për dhunimin e saj nga disa persona në muajin korrik. Pas publikimit të rastit, doli se ajo ka qenë viktimë e veprës së njëjtë edhe në qershor.