Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

14 vjet burgim për dy të akuzuar për dhunim në Prishtinë

Aktakuzë dhe burgim

Dy persona janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjithsej 14 vjet burgim për shkak të veprës penale “Dhunim”.

Sipas njoftimit, i akuzuari me inicialet A.O., është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim prej tetë vjetësh, ndërsa i akuzuari tjetër me inicialet D.Rr., është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim prej gjashtë vjetësh.

“Të pandehurve A.O dhe D.RR iu vazhdohet masa e paraburgimit nga data 12.04.2023 e deri sa ky aktgjykimi të merr formë të prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim, ndërsa iu llogaritet masa e paraburgimit në dënimet e shqiptuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Më tej bëhet e ditur se të pandehurit obligohen t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale.

“Të pandehurit A.O dhe D.RR obligohen që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro secili veç e veç, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro secili veç e veç, në emër të ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike shumën prej 450 euro në mënyrë solidare, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.