Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dështon për të tretën herë rigjykimi ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi

Për të tretën herë me radhë, ka dështuar të nisë rigjykimi ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili bashkë me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Shkak për mosmbajtjen e seancës ishte mungesa e të akuzuarit Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Rama, mbrojtësi i tij, avokati Ramiz Krasniqi njoftoi gjykatën se i njëjti gjendet në spital me prindin e tij.

“Unë në ora 09:34 kam marrë një sms nga i mbrojturi im, i cili shkruan se tani është te doktori se babën e ka të sëmurë. Ne kemi biseduar me të njëjtin dje dhe kemi qenë të përgatitur që sot të prezantojmë në seancë dhe të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor”, tha Krasniqi.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 7 nëntor 2022.

Gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj, konstatoi se për të akuzuarin Rama për seancën e radhës gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërsa në rast se i njëjti e arsyeton mungesën e sotme me dokumentacion mjekësor, gjykata do të veprojë sipas rrethanave të rastit.

Edhe Agim Ademi mbrohet në heshtje ndaj akuzave për detyrim Kronikë Agim Ademi mbrohet në heshtje ndaj akuzave për detyrim

Seanca e kaluar e caktuar për 12 maj 2022 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit dhe të dëmtuarit Kadolli.

Ka më shumë se një vit nga vendimi i Supremes kur kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, por deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë e rigjykimit ndaj Ademit dhe Ramës.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri. /BetimiPërDrejtësi