Ka dështuar të mbahet të enjten seanca e paraparë gjyqësore ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ademi bashkë me Muharrem Ramën po akuzohen se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke ia kërkuar 30 mijë euro ose një “BMW X5”. Seanca dështoi për shkak se Kadolli mungoi. Sipas gjykatësit, gjykata s’ka prova se i dëmtuari është ftuar në mënyrë të rregullt pasi që nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë, rezulton se ai gjendet në Amerikë.
Shtyrjen e seancës e kërkoi edhe mbrojtësi i Ademit, Florim Shefqeti, me arsyetimin se klienti i tij s’ka pranuar ftesë të rregullt nga gjykata, dhe sipas tij, për këtë arsye s’ka pasur mundësi të pajiset me shkresat e lëndës nga avokati paraprak.
Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lënda ndaj Ademit dhe Ramës është kthyer në rigjykim.
Të dy akuzohen se në periudhën 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumë prej 30 mijë eurosh, apo një veturë të tipit “BMW X5”.
Po ashtu ata akuzohen për ushtrim ndikimi. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin kërkuar mjetet nga Kadolli me qëllimin që të ndikonin në vendimmarrjen e një personi zyrtar, që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.
Më 5 korrik 2019, Ademi e Rama u shpallën fajtorë për veprën penale të detyrimit në tentativë. Ademi qe dënuar me nëntë muaj burgim efektiv e Rama me një vit. Për veprën e ndikimit ishte shpallur aktgjykim refuzues.
Në shkurt të vitit 2020, Apeli refuzoi ankesat e të akuzuarve. Mirëpo në korrik të po atij viti, Gjykata Supreme i aprovoi të bazuara ankesat dhe e ktheu lëndën në rigjykim në shkallë të parë.