Gjykata Themelore në Pejë - Dega në Deçan ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit N.H., për lajmërim të rremë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Të pandehurin N.H, gjykata e ka shpallë fajtor për shkak se me datë 01.08.2016, në Prokurorinë Themelore në Pejë, me dashje ka bërë lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, në atë mënyrë që i pandehuri ka paraqitur si kryes të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPK-së të dëmtuarin – gjyqtarin Rr.Th, ish gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, edhe pse i pandehuri e ka ditur se i dëmtuari nuk është kryes i veprës penale për të cilën e ka paraqitur”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Tutje thuhet se ndaj të pandehurit N.H gjykata shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej tre (3) vite.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, i dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil.
I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor ta paguajë shumën prej dyzet euro (40) euro, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej tridhjetë euro (30).
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.