Kronikë

Dënohet me dhjetë vjet burgim në Britani bosi shqiptar i drogës

Burg

Foto: Ilustrim

Taulant Stoica, i njohur si lord ndërkombëtar i drogës dhe po ashtu një prej kryesorëve në tregun e kokainës në Britani, është dënuar me dhjetë vjet burgim të martën, raporton “Daily Mail”.

Stoica 35-vjeçar kishte përdorur aplikacionin e mesazheve EncroChat për të aranzhuar marrëveshje me vlerë miliona funte në Londër e Bristol.

Stoica kishte përdorur EncroChatin për të organizuar ekipin e tij të shqiptarëve, përfshirë Muhamet Qosjan 30-vjeçar dhe Eduard Hajdinin 39-vjeçar.

Qosja e ruante kokainën, të cilën do ta shpërndante te tregtarët e rrugës në Londër, nën krevatin e fëmijës në shtëpinë e tij në lindje të Londrës.

Policët “undercover” përcollën Qosjan nëpër lindje të Londrës para se ta rrethonin.

Brenda veturës gjetën 23 mijë funte kesh. Po ashtu bastisën shtëpinë e tij në tetor të viti 2020 dhe gjetën 11 kg kokainë të pastër me vlerë afro 1.1 milionë funte, në krevatin e fëmijëve. Po ashtu zbuluan një armë dhe 20 plumba.

Qosja kishte thënë se hyri në Britani ilegalisht në vitin 2014 dhe kishte vendosur të futej në tregun e drogës pasi paguhet mirë. Ai u dënua me dhjetë vjet burgim në qershor të vitit të kaluar.

Shefi i tij Taulant Stoica, me banim në Kent, ishte përballur me ekstradim në fillim të vitit të kaluar kur u akuzua se kishte futur heroinë nga Holanda dhe Italia.

Stoica u akuzua se kishte bashkëpunuar me 38 persona tjerë për të transportuar dhe shpërndarë drogë të klasit A në Itali mes dhjetorit të vitit 2015 dhe shkurtit të vitit 2016.

Ai është baba i katër fëmijëve. Kishte ikur në Britani dhe kishte hapur një kafene në Walthamstow në lindje të Londrës, për të evituar arrestimin kryesisht.

Gjykatësi në Londër kishte urdhëruar ekstradimin e Stoicas për në Itali në shkurt të vitit të kaluar, por ai u lejua të lirohet me dorëzani pas apelit dhe mbeti në Britani, duke jetuar në jug të Londrës.

Stoica ishte arrestuar në afërsi të shtëpisë së tij më 30 qershor të vitit 2021.

Ai ka pranuar tri pikat e akuzës se ka bashkëpunuar për të furnizuar me kokainë dhe po ashtu një pikë të akuzës për pastrim të parave.

Stoicas të martën i është caktuar dënimi me burgim prej dhjetë vjetëve.

Image