Kronikë

Dëmtimi i shenjave të trafikut në Leposaviq, arrestohet shtetasi serb

E përditësuar - Policia ndaloi fillimisht 4 persona për dëmtimin e shenjave të trafikut në Leposaviq

Të paktën katër serbë janë ndaluar të shtunën nga Policia në veri të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se të dyshuarit janë ndaluar nën dyshimin se kanë qenë të dehur.

Sipas Elshanit, dy prej të dyshuarve u është shqiptuar gjoba për dehje në vend publik, njërit për vandalizëm dhe një tjetër prej tyre si dëshmitar.

“Katër persona i kemi ndaluar fillimisht, që të gjithë të dehur. Në fund dy personave ju janë shqiptuar tiketa për dehje në vend publik, një i dyshuar për vandalizëm dhe një ka mbetur dëshmitar. Asnjëri nuk është arrestuar”, ka thënë Elshani.

Për ndalimin e një personi për dëmtim të shenjave të trafikut që janë vendosur së fundmi në këto komuna, është njoftuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë.

“VANDALIZËM- Leposaviq / 16.03.2024 01:45. Është arrestuar i dyshuari, shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se i ka dëmtuar dy shenja të trafikut. I dyshuari me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje”, thuhet në njoftim.

Të enjten janë zëvendësuar shenjat e komunikacionit që tregojnë vendbanimet, të cilat ishin të shënuara me alfabet cirilik. Zëvendësimi i tyre është bërë me tabela dygjuhëshe.


Një shtetas i Serbisë është arrestuar të shtunën në Leposaviq, nën dyshimet për vandalizëm të dy shenjave të trafikut në këtë komunë.

Policia ka njoftuar të dielën se i dyshuari, me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje.

Dëmtimi i këtyre tabelave me emërtime edhe në shqip të vendbanimeve në veri, duke u mbuluar me ngjyrë, ndodhi vetëm një ditë pas vendosjes së tyre.

Këto tabela janë vendosur në katër komunat veriore, duke i zëvendësuar ato me alfabet cirilik.