Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Liridon Pekën që vidhte llogaritë e Facebookut të shqiptarëve në Kosovë dhe u mashtronte familjarët.
Një borxh prej 25 mijë eurosh që 28-vjeçari i kishte një burri të moshuar, e ka shtyrë atë të mashtrojë shqiptarët e Kosovës përmes vjedhjes së llogarive të tyre në Facebook dhe më pas mashtrimi i familjarëve dhe të afërmve për t’i nisur shuma të ndryshme parash, që në total kapën vlerën mbi 100 mijë euro, raportojnë mediat në Shqipëri të shtunën.
Të paktën kjo është veprimtaria e tij e fundit e provuar, pasi edhe më herët ka kryer të njëjtin aktivitet. Vjedhjen e llogarive, 28-vjeçari e ka kryer në kohën që ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për po të njëjtën akuzë të mashtrimit kompjuterik.
Personat që mashtronte, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve i nisnin paratë përmes kompanive të transfertave të valutave, i dërgonin ato në emër të burrit të moshuar dhe familjarëve të tij, të cilët më pas arrinin të kryenin tërheqjen.
Prokuroria e Tiranës pretendon se ka prova të mjaftueshme për të implikuar Liridon Pekën në këtë veprimtari kriminale, përfshirë këtu komunikimet e Pekës me burrin e moshuar që i kishte borxh dhe deklarimet e këtij personi që ai i kishte dhënë paratë borxh.
Por, të kundërtën pretendon Peka dhe mbrojtësi ligjor, sipas të cilëve nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë kriminale.
Liridon Peka është me profesion farmacist dhe pretendon se pas kësaj skeme fshihen persona të tjerë, por para gjykatës i riu nuk ka treguar emra të dyshuarish.
Si kryente mashtrimin
28-vjeçari që merrte llogaritë e Facebook, gjente familjarët e personit që e kishte profilin dhe i shkruante mesazh: “Kam nevojë për para, jam i shtruar në spital”. Pasi shtirej si i afërm dhe thoshte se ishte “i sëmurë” përdorte edhe disa lloje të tjera gënjeshtrash për t’u bërë i besueshëm dhe për të zhvatur sa më shumë para. Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit dërgonin shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare. Përmes kësaj skeme, i riu kishte mundur të merrte shuma të ndryshme, të cilat kapin në total mbi 100.000 euro.
Policia i sekuestroi 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara pas tërheqjes së shumave monetare, të cilat shërbejnë si prova. Mbi të rëndon akuza “Mashtrimi kompjuterik” dhe rrezikon nga 6 muaj deri në 6 vjet burg, sakaq Gjykata e Tiranës tashmë ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg".