Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Prizren, pasi ai ka tentuar ta vrasë vajzën e tij.
Sipas njoftimit të Policisë ngjarja ka ndodhur në fshatin Randobravë të Prizrenit. “Me datë 14 prill 2023, rreth orës 07:00, në fshatin Randobravë , KK Prizren, një person i dyshuar (N. H. 59 vjeç), pas një konflikti verbal me familjarët e tij ka nxjerr armën e zjarrit, pistoletë dhe ka shtënë tri here në drejtim të vajzës së tij (A. H. 31 vjeçe)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit djali i të dyshuarit ka arritur që me forcë të ia merr armën nga dora babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia.
“I dyshuari fillimisht nëpërmes telefonit ka raportuar policinë se ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e di nëse e ka vrarë apo jo dhe në ndërkohe është vetëdorëzuar në Stacionin Policor në Prizren. Patrullat policore bashkë me emergjencën janë nis menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes. Por në ndërkohë në stacionin policor kanë arritur dy viktimat (motër e vëlla) të cilët e kanë dorëzuar armën gjithashtu”, thuhet në njoftim. Sipas njoftimit në këtë rast nuk është lënduar askush.
“Nga Policia është bërë këqyrja e vendi të ngjarjes, mbledhje e provave dhe dëshmive dhe intervistimi i të dyshuarit dhe viktimave. Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.