Sekretari i një shkolle të mesme teknike në Ferizaj është arrestuar nën dyshimin se nga dhjetori i vitit 2022 deri në mars të vitit 2023 kishte marrë ryshfet 1200 euro nga një grua dhe bashkëshorti i saj, duke i premtuar se do ta pajisë me diplomë të shkollës së mesme viktimën. Shkolla në fjalë ofronte mundësinë me programin e quajtur “mësim i përshpejtuar”.
I dyshuari është arrestuar të enjten dhe është intervistuar në prezencë të avokatit. Ai është ndaluar për 48 orë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Ferizajt, pas zhvillimit të hetimeve për një kohë, ka arritur të siguroj dëshmi relevante se i dyshuarit (m) me pozitë sekretar i një shkolle të mesme teknike, gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi, nga muaji Dhjetor 2022 deri në muajin Mars 2023 kishte pranuar/marr ryshfet nga viktima (f) dhe bashkëshorti i saj njëmijë e dyqind (1200)Euro, duke i premtuar se do ta pajis me diplomë të shkollës së mesme, pasi shkolla në fjalë ofronte këtë mundësi me programin e quajtur “Mësimi i Përshpejtuar”. Sot me datë 11.05.2023, është arrite të sigurohet prezenca e personit të dyshuar për tu intervistuar. Pas intervistës dhe analizës së gjitha dëshmive është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprat penale “Marrja e Ryshfetit” dhe “Mashtrimi” sipas kodit penal të RKS-së. Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Prokurorin kompetent, ku i dyshuarit pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në komunë kanë thënë se s’kanë pas kurrfarë njoftimi paraprak.
“Për këtë çështje ne nuk kemi pas kurrfarë njoftimi paraprak, kjo është punë e institucioneve të drejtësisë”, ka thënë për KOHËN, Afrim Llabjani drejtor i Arsimit be komunen e Ferizajt.