Është arrestuar personi i pestë për rastin e fajdeve në Prizren, ka njoftuar Prokuroria Themelore. Aksioni policor kishte nisur të mërkurën e 22 dhjetorit, me ç’rast ishin ndaluar katër persona.
“Personi i arrestuar është pjesë e grupit të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë të datës 22 dhjetor 2021. Arrestimi i të njëjtit vjen pas një pune hetimore gjashtë (6) mujore, të Prokurorisë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës –Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren. Si rrjedhojë e këtij operacioni, janë bastisur 8 (tetë) lokacione dhe janë sekuestruar para, vetura, armë, telefona, laptop, kompjuterë, kontrata, regjistra të ndryshme dhe marrëveshje të nënshkruara mes të pandehurve dhe viktimave”, thuhet në njoftimin e Themelores.
I arrestuari dyshohet se ka vepruar me dashje dhe “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë”.
“I njëjti është arrestuar në pikë kalimin kufitar në Vërmicë. Me aktvendim të prokurorit, i pandehuri është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet tutje.