Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, i dyshuari përmes fakteve të rreme e ka nxitur të dëmtuarin që të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij.
“I pandehuri A.K., duke qenë pronar i kompanisë online, reklamon produkte përmes rrjetit social ‘Instagram’, ku përmes kësaj faqeje i dëmtuari me datë 01.02.2020 bënë porosi gjashtë palë pantallona, të cilën porosi e pranon me datë 03.02.2020. Pas pranimit të mallit i dëmtuari A.K., vëren se porosia nuk ishte e njëjta, por ai në vend të pantallonave kishte pranuar disa bluza të vjetra, për të cilat e njofton të pandehurin, mirëpo, i njëjti edhe përkundër që i premton se do t’ia kthente porosinë brenda 24 orëve një gjë të tillë nuk e bënë dhe i shmanget duke mos i treguar emrin e as adresën, e po ashtu nuk i përgjigjet as në rrjetin social dhe as në numrin e telefonit, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë prej 78 euro”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.