Është arrestuar Ujkan Metaj i cili ishte arratisur nga Qendra Korrektuese e Dubravës 12 ditë më parë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se Metaj është arrestuar të mërkurën në orët e pasditës, të njëjtën ditë kur ishte shpallur në kërkim.
"Identifikimit dhe lokalizimit të tij i ka paraprirë ndërmarrja e masave aktive hetimore dhe operative, të cilat kanë rezultuar edhe me arrestimin e personit të dyshuar", thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ai është kthyer në pavijonin e mbyllur të Dubravës, ku do ta vazhdojë dënimin e mbetur.
“Ndaj tij do të zbatohen procedurat disiplinore dhe penale sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet nga SHKK.
Metaj ishte arratisur nga pavijoni i hapur i Qendrës së Dubravës.

Pas 12 ditëve në arrati, Policia kërkon ndihmë për kapjen e Ujkan Metajt
Policia e Kosovës të mërkurën ka publikuar foton e Ujkan Metajt, të dënuarit me 11 vjet burgim, që më 12 korrik ka ikur nga Qendra Korrektuese e Dubravës, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.
“Ujkan (Rexhep) METAJ i lindur me 15.09.1988 nё fshatin Shushicё e Ulёt-Istog. I njëjti akuzohet për veprën penale ‘Arratisja e personit tё privuar’”, thuhet në publikimin e Policisë.
Kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, sipas autoriteteve, duhet të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.
Metaj është i dënuar për pjesëmarrje në një grabitjen të bankës në Istog në vitin 2018, ku u vra një zyrtar policor.
