Kronikë

Arrestohet 20 vjeçari në Ferizaj, e shantazhoi të miturën përmes Facebookut

Foto: Koha / ilustrim

Hetuesit e njësitit të hetimeve të stacionit policor të Ferizajt, kanë arrestuar të dyshuarin A.K . (m/sh/k 20 vjeç) me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të shantazhit ndaj viktimës femër, e mitur.

Për disa ditë rresht, siç raporton Policia, i dyshuari, përmes rrjetit social Facebook, në mënyrë sistematike e kishte kërcënuar dhe shantazhuar viktimën duke i kërkuar një shumë parash përndryshe do t’i publikonte disa fotografi intime të viktimës, raporton Koha.net.

“Të gjitha veprimet e hetuesve policorë janë bërë në koordinim me Prokurorinë e shtetit dhe i dyshuari është arrestuar në flagrancë derisa ishte duke i marrë 100 euro nga viktima”, thekson Policia e Kosovës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Ferizaj, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e mbajtjes për 48 orë, ndërsa rasti pas kompletimit do të procedohet në Prokurori.