Edhe dy persona janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj, nën dyshimin se janë përfshirë në veprën penale “falsifikim i parave”.
Policia ka njoftuar se arrestimi i të dyshuarve ka të bëjë me operacionin e krimeve ekonomike të Policisë “Taksisti 2023”, për të cilin më 13 prill janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.
Muajin e kaluar në këtë rast janë konfiskuar mbi 10 mijë euro në formë të monedhave prej dy eurosh, pasi dyshohet se janë të falsifikuara.
Në njoftimin e lëshuar të mërkurën nga Policia thuhet se është arritur të sigurohen prova dhe dëshmi të reja edhe për dy personat e tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar për shpërndarjen e parave të falsifikuara në vende të ndryshme.
“Dy personat tjerë të dyshuar në këtë rast me iniciale (L.L. dhe R. K. ), tani më të arrestuar, ekziston dyshimi i bazuar se me veprimet e tyre dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikim i parasë’. Sot me datë 03.05.2023, dy të dyshuarit e lartcekur me iniciale janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit kompetent janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më 13 prill, Policia ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kishin sjellë paratë e falsifikuara nga Maqedonia në Kosovë.
Edhe
Kapen mbi 10 mijë euro të falsifikuara, arrestohen dy persona
Pos ndalimit, Policia ka kryer bastisje edhe në fshatin Rakaj të Ferizajt dhe një tjetër në Han të Elezit.