Kronikë

Arrestohen dy maturantë në Podujevë, po kërkonin t’u lejohej ekskursioni në Shqipëri

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten dy nxënës në Podujevë, për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Lajmin për KOHËN e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se të njëjtit janë liruar pasi u është shqiptuar gjoba.

“Dy persona janë shoqëruar në stacion policor, të njëjtit janë liruar pasi u është shqiptuar gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, e cila ka shtuar se të arrestuarit nuk janë të mitur.

KOHA ka mësuar jozyrtarisht se arrestimi i dy të rinjve është bërë në kohën sa nxënësit e tri shkollave të mesme në këtë qytet po protestonin duke kërkuar t’u lejohej mbajtja e ekskursionit në Shqipëri.