Kronikë

Arrestohen 3 zyrtarë të Postës në Kaçanik, dyshohet se falsifikuan 28 dërgesa

Arrestim - Peje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre zyrtarë të degës së Postës së Kosovës në Kaçanik, nën dyshimin se kanë falsifikuar nënshkrimin e konsumatorëve në 28 dërgesa.

Sipas njoftimit personat e dyshuar kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, siç thuhet, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës.

“Të dyshuarit me iniciale (R.L.), (K.Z.) dhe (A.Ç.) zyrtarë të postës - dega në Kaçanik, gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi nga 01.12.2022 deri 31.12.2022, kishin manipuluar në librin e dorëzimit të Dërgesave të Regjistruara të kësaj Zyre Postare, me dyshimin se në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit të martën është siguruar prezenca e të dyshuarve dhe se pas intervistimit dhe analizës së provave e dëshmive, “është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se: të dyshuarit R.L., K.Z. dhe A.Ç. kanë kryer vepër penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’”.

“Për të gjitha veprimet hetimore është koordinuar Prokurori kompetent (PTHF), dhe tre (3) të dyshuarit pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme”, thuhet në njoftim.

Lidhur me aksionin ka reaguar edhe Posta e Kosovës.

“Posta e Kosovës njofton opinionin se rasti i keqpërdorimit në fjalë është kapur nga autoritetet e saj përkatëse dhe menjëherë i është drejtuar organeve të rendit. Kemi kërkuar hetime dhe kemi ofruar mbështetje dhe bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rastit. Me këtë rast falënderojmë Policinë e shtetit tonë për profesionalizëm të pashoq. Për këtë dhe për çdo rast tjetër, Posta e Kosovës do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë. Po ashtu, Posta e Kosovës siguron të gjithë konsumatorët se çdo shërbim në zyrat postare është i sigurt dhe mbetemi të përkushtuar që çdo ditë të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve tona”, thuhet në komunikatë të Postës.