Kronikë

Arrest shtëpiak gruas që dyshohet se e vazhdoi kërkimin e fajdesë pasi i vdiq bashkëshorti

Euro - Para

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës D.M. nën dyshimin se ka kërkuar që t’i kthehet fajdeja të cilën e kishte dhenë bashkëshorti i saj sa ishte gjallë. E njëjta masë i është caktuar edhe të pandehurit tjetër në këtë rast, A.M., që dyshohet se, në emër të mikut të vdekur, nga i dëmtuari ka kërkuar ta vazhdojë pagesën e fajdesë.

Siç thuhet në njoftim të Themelores, rasti ka ndodhur më 12 dhe 14 shtator.

Të dy dyshohen për veprën penale të fajdesë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit gjeti se kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit është e pabazuar, përkatësisht tepër e ashpër dhe e pa nevojshme për këtë moment. Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë meqë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale që ju vihen në barrë dhe se masa e arrestit shtëpiak do të jetë mjaftë efikase që të pandehurit të mos kenë mundësi të ndikojnë në të dëmtuarit, të përsërisin veprën e njëjtë apo ta përfundojnë veprën e nisur penale. Gjykata sipas detyrës zyrtare shqyrtoj edhe masat e tjera alternative dhe gjeti se masa e arresti shtëpiak, si masë më e butë, është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë dhe në funksion të zhvillimit pa pengesa të procedurës penale dhe se masat tjera me të buta nuk do të ishin adekuate”, thuhet në arsyetimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.