Gjykata e Apelit, përmes aktgjykimit ka vërtetuar dënimin prej 21 vjet burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit.
Në vendimin e Apelit, i cili është marrë më 4 maj 2023, thuhet se është refuzuar ankesa e përbashkët e mbrojtësve të të akuzuarit, Labinot Gruda, avokatëve Tahir Rrecaj dhe Selman Bogiqi, si dhe mbrojtësit të akuzuarit Kadri Shala, avokatit Florent Latifaj, si dhe ankesat e parashtruara nga mbrojtësit e palëve të treta, të cilat u shqyrtuan në seancën e 4 majit 2023, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Themelorja, më 7 dhjetor 2022, ka shpallur aktgjykim dënues, me të cilin Labinot Gruda dhe Kadri Shala, u dënuan me 21 vjet burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
“Sa i përket pretendimeve ankimore të mbrojtësve e të akuzuarve, av.Tahir Recaj e Selman Bogiqi, dhe av.Florent Latifaj për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kjo Gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë edhe gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, për faktin se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit janë kryes të veprës penale për të cilën janë shpallur fajtor”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Më tej, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se në këtë çështje penale nuk ka shkelje të Ligjit Penal për faktin se në gjendjen faktike të provuar nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, në veprimet e të akuzuarve qëndrojë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën janë shpallur fajtorë të akuzuarit, ngase të njëjtit janë penalisht përgjegjës, ndërsa në anën tjetër nuk ekziston asnjë nga rrethana të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale apo përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Edhe
Supremja vërteton dënimin me 21 vjet burgim për vjedhjen e 2.1 milionëve nga Thesari
Apeli gjithashtu ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësit të të pandehurit Gruda, avokatit Rrecaj, lidhur me vendimin mbi sanksionin penal sa i përket veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Vjedhja e identitetit”, si dhe pretendimet e mbrojtësit të të pandehurit Shala, avokatit Florent Latifaj, se shqiptimi i këtij lloji të dënimit ndaj të pandehurit është tejet i rëndë dhe i paarsyeshëm, janë të pabazuara.
Prokuroria dhe mbrojtja nuk kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me këtë çështje. /BetimiPërDrejtësi
-
21 vjet burgim dhe 41.500 euro gjobë për vjedhjen e 2.1 milionëve nga Thesari
-
Më 7 dhjetor shpallet aktgjykimi për vjedhjen e 2 milionë eurove të Thesarit
-
Bajrami: E denoncova vjedhjen e 2.1 milionshit, mjetet të kthehen sa më parë në buxhet
-
Rasti i 2.1 milionëve, afaristët, që iu transferuan mjetet e Thesarit, kërkojnë zhbllokimin e llogarive bankare