26 persona në cilësi të palës së tretë kanë dëshmuar në procesin gjyqësor për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari, në seancën e mbajtur të mërkurën.
Në këtë rast korrupsioni i dyshuar është Labinot Gruda për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi, siç e ka pranuar edhe vetë para gjykatës, i ka transferuar paratë e shtetit në kompaninë “LDA GROUP”, pronar i së cilës është i dyshuari tjetër Kadri Shala.
Dyshohet se Shala me marrëveshje e plan paraprak me Grudën i kanë shpërndarë këto para nëpër llogaritë e personave fizikë në emër të larjes së borxheve, blerjes së mallit apo huazimit.
Shteti ua ka mbyllur llogaritë kompanive tek të cilat u ble mall me paratë e vjedhura, e në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë pronarët e tyre u ankuan për dëmin që u është shkaktuar nga bllokimi i parave.
Ndërmarrësi Nexhat Haliti, ka thënë se dëmet ndaj tij janë shumë të mëdha, pasi ka theksuar se ka paratë e tij në atë llogari.
Bajram Ramadani që është palë e tretë në rastin “Thesri” ka thënë se kërkon t’i lirohet llogaria. “Kam mjete të tjera që nuk lidhen me to”, ka theksuar Ramadani.
Edhe Astrit Zejnaj, që gjithashtu është palë e tretë në këtë rast ka thënë se gati ka falimentuar.
Pronarë të tjerë të kompanive të materialeve ndërtimore e fermerë kanë thënë se i akuzuari Shala u ka pasur borxhe apo u ka paguar mall dhe se nuk janë pjesë e skemës së krimit.
Naser Neziri, palë e tretë në këtë rast ka thënë se ai vetëm e ka shitur mallin dhe e kam dërguar.
Dy prej avokatëve të palëve të treta kanë thënë se nuk kanë marrë shkresë nga gjykata a prokuroria kur u vendos masa e bllokimit të llogarive dhe se s’u është dhënë mundësia të ankohen.
“Përveçqë është mbajtur një seancë në mënyrë të kundërligjshme, i është pamundësuar palës edhe ta atakojë aktin e njëjtë”, ka thënë avokati Leutrim Syla.
Ndërkaq kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, dha një sqarim në të cilin dha sinjal për zhbllokimin e llogarive.
“Me rëndësi për trupin gjykues dhe për mua si kryetar i trupit gjykues ka qenë që të zhbllokohen llogaritë e bizneseve, të cilat kanë pasur mjete më shumë sesa shuma e kërkuar nga prokuroria. Kësisoj kemi vepruar, ato mjete janë në zbatim të urdhrit ndalues afatgjatë kështu që nuk është marrë vendim përfundimtar. Po bëhet me qëllim të zhbllokimit. Ato mbesin në llogarinë e cila është hapur në emër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka vetëm një karakter të përkohshëm derisa të vendoset, vetëm ruajtje”, ka theksuar Hoti.
Seanca e radhës, në të cilën parashihet të jepet fjala përfundimtare për rastin më të rëndë të rrjedhjes së parave të shtetit, është caktuar për datën një dhjetor.