Një alarm i rrejshëm për bombë është dhënë gjatë orëve të para të së martës në një lokal në Prishtinë.
Policia ka njoftuar se pas veprimeve operative të ndërmarra nga njësitet e saj në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se informatat kanë dalë të rrejshme.
“Sot rreth orës 00:10 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një lokal në Prishtinë.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën. Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast Lajmërim apo kallëzim i rremë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për rastin ka njoftuar edhe vetë diskoteka “Gate Club”. Në njoftimin e saj thuhet se pas kontrollit të detajuar nga njësitet e antibombës nuk është gjetur asnjë mjet dyshues brenda hapësirës së lokalit.
“’Gate Club’ është totalisht i pastër dhe nuk ka vend për shqetësim”, thuhet më tej në njoftim.
