Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me iniciale K.G., B.B., B.I., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Grabitja”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë B.B. dhe B.I., secili veç e veç kanë kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërsa L.C., dhe T.B., sipas njoftimit, secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të grabitjes”.
Po ashtu, T.B., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paatorizuar të armëve”.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., me datë 22.11.2023 në ora 15:45 min në qytetin e Suharekës, në argjendarinë “D.“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B., me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Ata thuhet se nisen me automjet në drejtim të Suharekë, dhe me të arritur në afërsi të argjendarisë “D”, e ndalojnë automjetin. “Nga automjeti dalin të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., të shoqëruar me të ndjerin D.G., që të gjithë të armatosur dhe të maskuar, në atë mënyrë që i pandehuri B.B., i armatosur, pret jashtë objektit në rrugë, ndërsa i pandehuri B.I., e kapërcen banakun e argjendarisë duke ia drejtuar armën të dëmtuarit A.B., dhe të njëjtin, e neutralizon në dhomën e pasme të argjendarisë, duke ia lidhur duart, e duke e mbajtur nën kanosje të armës”, thuhet në njoftim.
Pastaj K.B., së bashku me D.G., fillojnë t’i thyejnë vitrinat, ku kanë qenë të vendosura stolitë e arit, dhe me shpejtësi të madhe e mbushin një thes, dhe me armë në duar dalin nga lokali.
“Të njëjtit, me shpejtësi nisen në drejtim të veturës, ku ishte duke i pritur i pandehuri B.B., i cili me të parë policinë shkrep disa herë në drejtim të tyre me pushkë gjysmë automatike. Më pas, të njëjtit vazhdojnë nga fshati Sopijë në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Komunës së Ferizajt, ku nga aty dalin nga automjeti, i marrin stolitë me vete, në sasi prej 3 kilogram e 71 gram, duke i shkaktuar të dëmtuarit T.B., dëm në vlerë prej 133,711.34 euro”, thuhet në njoftim.
Të akuzuarit thuhet se hipin në dy automjete të tjera, dhe nisen në drejtim të Prishtinës, ku njëri nga automjetet ndalet në afërsi të argjendarisë “B.” në Prishtinë, dhe arin e grabitur e dorëzojnë në lokalin e T.B., për ta fshehur dhe pastaj për ta larguar nga aty.
Në njoftim thuhet se i pandehuri L.C., prej mesit të muajit nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit me datën 30.11.2023, me dashje i ndihmon të pandehurit B.B., B.I., K.B., dhe D.G., për kryerjen e veprës penale të grabitjes, “ashtu që i jep premtim paraprak se do t’i fshehë provat e kryerjes së veprës penale dhe të pandehurit”.
“I pandehuri T.B., prej mesit të muajit nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit 30.11.2023 me dashje ndihmon të pandehurit e lartpërmendur, për kryerjen e veprës penale të grabitjes. I njëjti, në argjendarinë e tij ‘B’. e cila gjendet në Prishtinë, pranon nga të pandehurit B.B., dhe të tjerët, stolitë e arit të grabitura në peshë prej 3 kilogram e 71 gram, duke i fshehur fillimisht në kasafortën e vet, e pastaj pjesën më të madhe e ka dërguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, thuhet se i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
“Prokurori i rastit ka propozuar që të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjeteve me të cilat janë kryer veprat penale të lartëcekura, si dhe gjësendet e përfituara përmes kryerjes së veprës penale, dhe atë: një mori armësh të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, fishekë, stoli ari ngjyrë të verdhë 439.6 gr., stoli të ndryshme ari 1969.55 gr., stoli argjendi 61.67 gr., bizhuteri të ndryshme 1690.14 gr., para të gatshme në vlerë prej 3.178.58 €, vetura të markave të ndryshme, telefona etj.”, thuhet në njoftim.
Dy prej personave të dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë, në nëntor të vitit 2023, kishin rezistuar me armë zjarri gjatë aksionit të policisë për arrestimin e tyre, pasi ishin lokalizuar në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Gjatë aksionit, njëri prejt tyre ishte vrarë dhe një polic ishte plagosur.