Kronikë

Aktakuzë ndaj të pandehurit që mbajti të lidhur me zinxhirë vajzën e tij 10 vjeçare

Foto: Koha

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit F.R., i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 29 mars 2019, për shkak se mbajti të lidhur me zinxhirë vajzën e tij 10 vjeçare.

Sipas aktakuzës, nga gjysma e muajit mars, deri më 29 mars 2019, në fshatin Pasjak komuna e Novobërdës, i pandehuri F.R., brenda shtëpisë e ka mbajtur të lidhur me zinxhirë të shkurtë metalik vajzën e tij 10-vjeçare, duke ia lidhur dy këmbët dhe nuk e ka zgjidhur përkundër kërkesave të saj.

Sipas njoftimit, i pandehuri e ka mbajtur të lidhur vajzën e tij deri atëherë kur në shtëpinë e tyre kanë shkuar një komision nga shkolla, për shkak të shqetësimit se e mitura nuk vijonte mësimin, me ç’rast të njëjtën e kanë gjetur të lidhur dhe e kanë raportuar rastin.

Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Privim i kundërligjshëm i lirisë’’.

Prokurorja e rastit, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që i pandehuri të shpallet fajtor për këtë vepër penale dhe ndaj tij të shqiptohet sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.