Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë ndaj policit që ngacmoi gruan e cila shkoi në stacion për të raportuar

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit policor P.P. për veprën penale të ngacmimit. Sipas aktakuzës, zyrtari policor kishte ngacmuar një grua e cila kishte shkuar në stacion policor për të raportuar një rast të së bijës.

Aktakuza thekson se rasti ka ndodhur më 13 dhe 14 shtator. Në Gjakovë, i pandehuri në vazhdimësi, me qëllim të ngacmimit, me sjellje të padëshirueshme i ka sjellë shqetësim emocional të dëmtuarës R.S.

“Rasti ka ndodhur si rrjedhojë e rastit paraprak që kishte e dëmtuara me vajzën e saj, të cilin e kishte raportuar në stacionin policor, në cilësi të dëmtuarës, por pasi shkon në shtëpi, në telefonin e saj pranon mesazhe të ndryshme provokuese nga i pandehuri, zyrtar policor, i cili e kishte intervistuar të njëjtën. Më pas, në orët e para të mëngjesit i pandehuri, shkon në shtëpinë e të dëmtuarës, por kur sheh brenda edhe motrën e saj, thotë se ka shkuar të marrë një thikë, si provë lidhur me rastin paraprak të raportuar nga e dëmtuara”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehurit të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.