Kronikë

Aktakuzë ndaj një personi për pesë vepra penale

Prokuroria Themelore Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.B., nga komuna Prishtinës, për shkak të dyshimit se ka kryer pesë vepra penale. 

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai dyshohet për “keqpërdorimi të autorizimeve ekonomike”, “legalizimi të përmbajtjes së rreme”,  “mashtrim”, “blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “deklarime të rreme”. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data 02.05.2012 e në vazhdimësi në Shtime, i pandehuri N.B., në cilësinë e drejtorit dhe agjentit të autorizuar të një kompanie investuese, pas një marrëveshje paraprake në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij dhe personit tjetër, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

Sipas njoftimit ai duke falsifikuar dokumente, duke i noterizuar ato me anë të mashtrimit e duke keqpërdorur autorizime, “realizon shitjen e pasurisë së paluajtshme, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, përpilon kontrata për shitblerjen e paluajtshmërive, me ç’rast të dëmtuarit B.K., i shkakton dëm në shkallë të madhe”.

Tutje në njoftim thuhet se ai në vazhdimësi nga viti 2012, pas një marrëveshje paraprake, në bashkëveprim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij dhe personit tjetër, ish-të pandehurit si bashkëkryes M.Sh.,- tani më i ndjerë e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K”,  duke e ditur se ish-i pandehuri - bashkëkryesi M.Sh., nuk ka qenë pronar i paluajtshmërive, ka blerë dhe siguruar “pasurinë e paluajtshme nga ish-i pandehuri M.Sh., të njëjtit realizojnë shitjen - blerjen  e pasurisë së paluajtshme pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, me ç’rast të dëmtuarit B.K., dhe kompanisë ... i shkaktojnë dëm në shkallë të madhe”. 
Për këtë ai thuhet se ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. 

Tutje thuhet se i pandehuri gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës, “me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve të falsifikuara, ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, duke e ditur se janë dokumente me përmbajtje të rreme, fillimisht vë në lajthim Agjensionin e Regjistrimit të Bizneseve - ARBK, duke falsifikuar, përdorur dhe dorëzuar dokumentet e falsifikuara si të vërteta - origjinale ashtu që vë në lajthim zyrën noteriale të lartshënuar, duke përpiluar Kontratën për Shitblerjen dhe Transferimin e të Drejtës së Qirambajtjes për 99 vite të Paluajtshmërisë të datës 24.04.2023, me ç’rast të dëmtuarit B.K., i shkakton dëm në shkallë të madhe”.

I pandehuri gjithashtu thuhet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme nga i dëmtuari, B.K., ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm të madh. Me këtë në vazhdimësi thuhet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.