Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aksion policor në lokacione të ndryshme, arrestohen disa persona

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona që dyshohen se janë të përfshirë në vjedhje nëpër lokacione të ndryshme. Të dyshuarit, që thuhet se bëjnë pjesë në një grup kriminal, për të kryer vjedhjet, kanë përdorur mjete të forta për hapjen e lokaleve me forcë, ku kanë vjedhur para të gatshme, pajisje elektronike, armë, cigare në dyqane dhe sende të tjera.

“Me urdhëresë të gjykatës kompetente në Ferizaj janë aplikuar masat e fshehta ndaj të dyshuarve, të cilët kanë qenë nën hetim dhe vëzhgim policor, të cilët dyshohen për përfshirje në dhjetëra vepra penale të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të kryera në rajone të ndryshme, me ç ‘rast janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar”, thuhet në njoftimin policor.

Autoritetet njoftojnë se sot kanë realizuar gjithashtu një plan operativ në Prishtinë për arrestimin e të dyshuarve, të përfshirë në vjedhje. R.A., A.SH., dhe Q.K. kanë arritur të arrestohen.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 58 kartela grafike, para të gatshme, atlete, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende me vlerë të cilat dyshohet se janë të vjedhura. Grupi hetimorë është në proces të grumbullimit dhe analizimit të dëshmive lidhur me rastet të cilat dyshohet se i ka kryer ky grup kriminalë si dhe duke punuar në mënyrë intensive drejt identifikimit dhe arrestimit edhe të dyshuarve të tjerë të mundshëm”, thuhet në njoftimin policor.