Kronikë

Aksion i Njësisë së Krimeve Ekonomike në Prizren e Obiliq, shtatë të arrestuar

Dy shtetas të huaj theren me thikë nga persona të panjohur në Prizren

Shtatë persona janë arrestuar të hënën nga Policia në dy operacione të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Në njoftimin e policisë thuhet se dy të arrestuarit në Obiliq janë përgjegjës të mbikëqyrjes së punimeve në projektin me titull “Ndërtimi i brezit të gjelbër – Kosova A”, duke mos iu përmbajtur kritereve të projektit që ndërlidhen me vendosjen e gypave, për çka thuhet se i kanë shkaktuar buxhetit të Komunës së Obiliqit dëme të konsiderueshme materiale.

“Hetuesit policor, pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore/operative kanë siguruar dëshmi dhe informacione të nevojshme për personat e dyshuar dhe dëmet e shkaktuara, përmes veprimeve policore me çka dëshmohet dyshimi i kryerjes së veprës penale. Më këto veprime të dyshuarit O.K. dhe A.D. dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, në ‘Bashkëkryerje’, dhe ‘Mashtrimi në detyrë’, në ‘Bashkëkryerje’”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me vendim mbi ndalimin nga Prokurori kompetent të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti i dytë është realizuar në rajonin e Prizrenit ku janë arrestuar pesë persona mbi dyshimin e bazuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

“DHKEK ka kryer veprime hetimore mbi dyshimet e evidentuara nga Zyra e Auditorit Kombëtar, se zyrtar nga Zyra për Kthim dhe Komunitete ne Komunën e Prizrenit, dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale lidhur me tenderin ‘Furnizimi me material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komunitetit minoritar në Komunën e Prizrenit’”, thuhet më tej në njoftim.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve të personave të dyshuar, njoftohet se Komuna e Prizrenit ka paguar faturat sipas listave të propozuara, duke dëmtuar në radhë të parë familjet skamnore si përfituese, si dhe Komunën e Prizrenit si autoritet kontraktues, së paku në shumën qe aktualisht është rreth 13.000 euro.

Veprimet lidhur me këtë rast janë kryer ne bashkëpunim me prokurorin kompetent, ku pasi janë shoqëruar dhe intervistuar të pesë personat e dyshuar, me aktvendim të prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.