Dy persona janë lënduar në aksident komunikacioni në magjistralen Ferizaj – Gjilan, në fshatin Sojevë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se në aksidentin që ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit, janë përfshirë tri vetura.
Një automjet në lëvizje raportohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur dy vetura të parkuara.
“Sot, rreth orës 07:00 në rrugën magjistrale Ferizaj- Gjilan, më saktësisht në fshatin Sojevë të Ferizajt ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë një automjet në lëvizje dhe dy automjete të parkuara. Deri te aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ardhur kur një automjet i udhëtarëve po qarkullonte nga Ferizaj në drejtim të Gjilanit dhe në fshatin Sojevë, shoferi humbi kontrollin mbi automjetin e tij dhe doli jashtë rruge, ku i goditi dy automjete që ishin të parkuara. Veç dëmeve të shkaktuara materiale lëndime të lehta trupore pësojë dy persona të cilët dërgohen për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Në vendin e aksidentit kanë dalë Njësia e Hetimeve të Aksidente e cila po e heton rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.