Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh të pandehurit M.I. për shkak se ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” sipas Kodit të Procedurës Penale të Maqedonisë së Veriut.
M.I. ishte arrestuar në Istog ditë më parë me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia e Veriut. Sipas njoftimit nga Themelorja, ekziston rreziku se ai mund të tentojë ikjen dhe për këtë gjykata ka thënë se ka vendosur masën e paraburgimit.
Personin e arrestuar në Istog e pret ekstradimi në Maqedoninë e Veriut
“Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka aprovuar propozimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit, sepse po të gjendej i kërkuari M.I. në liri, i njëjti mund të ikë, të largohet nga vendbanimi i tij dhe do të jetë i pakapshëm nga organet e ndjekjes, pasi që i njëjti është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti kërkohet nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të veprës penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste nga neni 394 (a) dhe 396 të KPR të Maqedonisë Veriore. Po ashtu Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara në nenin 187 par. 1 nënpar. 1.1 dhe 1.2 pikat 1.2.1 të KPPK, sepse po të gjendej i kërkuari në liri të plotë do të arratiset dhe do te pengonte zhvillimin e procedurës së ekstradimit”, thuhet në njoftim.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.