Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

27 vjet burgim për vrasje të rëndë

Paraburgim

Col Imeraj është dënuar me 27 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Gjakovë, për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Ndryshe, i akuzuari Imeraj ishte deklaruar fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohet në seancën fillestare të mbajtur më 16 prill 2021.

Mirëpo, ky pranim i fajësisë i bërë nga ana e të akuzuarit ishte kundërshtuar nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Meshari Selimaj, sa i përket veprës penale të vrasjes së rëndë dhe tentim vrasjes, pasi që sipas tij, i njëjti nuk është në gjendje ta kuptojë kualifikimin e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas avokatit, në këtë rast nuk kishte pasur vrasje mizore, derisa edhe për tentim vrasje kishte thënë se nuk ka ekzistuar dashja për ta kryer atë vepër penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj po akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë mizore dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin Mulaj.

Siç përshkruhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë derisa i ndjeri ishte duke fjetur së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën Diturie Mulaj, i akuzuari pasi më parë e merr një thikë në kuzhinë dhe një çekan hekuri, e thyen derën e dhomës me çekan, hyn në dhomën e tyre e cila gjendet në katin e dytë të shtëpisë dhe së pari e godet të dëmtuarën Diturie me mjet të mprehtë (thikë) dhe atë në krahun e majtë si dhe në regjionin e gishtit të dorës të dorës së djathtë, e me të parë këtë situatë tani i ndjeri N. fillon të dalë nga dhoma dhe në çastin kur kalon në korridorin e shtëpisë në katin e dytë, i akuzuari e godet me thikë edhe atë disa herë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse të përshkruara më së afërmi në raportin e autopsisë për tani të ndjerin, e më pas me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe i cili më pas arrestohet nga policia rreth orës 8:00.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin Mulaj dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës Diturie, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. Dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Artikuj të ngjashëm