Kronikë

Bashkim Makshana thotë se u rrah e u fye pa asnjë arsye në stacionin policor në Rahovec

Shenjat në fytyrë, Bashkim Makshana thotë se i mori mbrëmjen e së premtes nga tre zyrtarë policorë brenda stacionit të policisë në Rahovec.

Ai thotë se është rrahur brutalisht nga ta, përderisa kishte shkuar aty për t’u konsultuar për një çështje private, raporton KTV.

Pos rrahjes, ai rrëfen se është fyer me fjalë prej më të ndryshmeve, duke shtuar që i kishte lutur që të kenë kujdes, pasi dorën e kishte të operuar.

Pas kësaj, ai ka kërkuar që të shkojë në spital, ku edhe kishte marrë trajtim mjekësor, për të vazhduar në stacionin policor në Gjakovë, me arsyen se nuk kishte besim në zyrtarët policorë të Rahovecit.

Ai thotë se për rastin e tij kishte lajmëruar edhe Inspektoratin Policor.

Nga Policia në Gjakovë, thonë se rastin e kanë proceduar në Inspektoratin Policor të Kosovës për shqyrtim dhe hetim të mëtutjeshëm.

Përderisa nga IPK-ja, thonë se për këtë çështje është konsultuar edhe Prokurori kompetent, duke shtuar që rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.