Gjendet e vdekur regjisorja Arzana Kraja Foto: Arzana Kraja

Gjendet e vdekur regjisorja Arzana Kraja

13 November 2019 11:19

Ka vdekur regjisorja Arzana Kraja, vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Në një përgjigje për Koha.net nga Policia e Kosovës, konfirmohet vdekja e një vajze në lagjen “Kalabria” në kryeqytet, por burime të Koha.net tregojnë se bëhet fjalë për regjisoren Kraja.

“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:00 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pa jetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësit policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Kraja, ishte regjisore e filmave, “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”. Me këtë të fundit shënoi edhe hapjen e edicionit të 11 të PriFest.

Problemet e një të burgosuri politik shqiptar, i cili e ka vështirë të jetojë me të kaluarën, ishin shfaqur në filmin debutues të regjisores Arzana Kraja.


Ndërkohë, Qendra Kinematografike e Kosovës, ka shprehur ngushëllime.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i sajë në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm! Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve!”, thuhet në ngushëllim.


Për vdekjen e Krajës ka ngushëlluar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

“I prekur thellë nga ndarja e parakohshme nga jeta e Arzana Krajës. Pata nderin ta njihja personalisht. Arzana, me artin e saj i dha shumë Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të artit. Prehu e qetë Arzana!”, thuhet në ngushëllimin e Haradinajt.


Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se “Vdekja e regjisores Arzana Kraja është lajm i trisht për të gjithë ne”.

“ Ajo i dha shumë kinematografisë sonë me talentin e saj dhe ishte shumë e re për t’u ndarë nga jeta. Ngushëllime familjes Kraja, miqve të Arzanës dhe gjithë komunitetit artistik dhe kulturor në vendin tonë”, ka shkruar ai.


Ministria e Kulturës, përmes ministrit Kujtim Gashi, kanë ngushëlluar familjarët e Krajës.

“Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurës suaj, Arzanës, regjisores tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh”, thuhet në telegram.

“Arzana u nda nga kjo jetë në moshë të re, por veprat që la pas janë të shumta dhe me vlerë. Krijimtaria dhe produktiviteti i saj do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin Arzana është angazhuar dhe kontributin që ajo ka dhënë në fushën e kinematografisë e ka sjellë artin në Kosovë në një dimension tjetër. Me kontributin e saj, Arzana e ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre në botën e artit e të kulturës. Me punën e saj ka bërë që të ajo të jetë e vlerësuar dhe që ka vënë në lëvizje dhe ka nxitur të gjithë përreth saj që të punojnë sa më me vullnet. Me entuziazmin e saj, Arzana do të na sillte edhe vepra tjera përplot vlera por na iku nga kjo jetë para kohe. Ndarja e hershme e Arzana Krajës është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës. Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e saj të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Arzana Krajës”, përfundon telegrami.

Edhe komuniteti artistik në Kosovë dhe miq të saj janë shprehur të mërzitur dhe kanë shprehur ngushëllime për regjisoren e ndjerë.

Një numër i madh i artistëve kanë reaguar menjëherë në Facebook duke shprehur dhimbjen e tyre për këtë humbje.

Më poshtë janë reagimet e artistëve:

Eliza Hoxha: Ah bre Arzanë kaq heret? Ma këpute shpirtin. Ngushëllime familjes, kolegëve e miqëve.

Aktori Kushtrim Sheremti: Arzana bre!!!! Pse breeee.

Aktori Naser Rafuna: Ndarja jote prej nesh Arzana Kraja,na shokoj. Fort fort fooort u mërzita per kolegen, shoqen e pashembullt, njeriun qe kemi punu disa projekte bashke. Nuk shkaterrohet bota ndryshe perpos me largimin e njerezve te mire prej nesh. Familjes Kraja ngushellime, komunitetit artistik gjithashtu e edhe tere popullit sepse ne mesin tonë nuk eshtë një artiste e madhe.

Regjisori Besim Ugzmajli: Nje lajm teper i tmerrshem, i pabesueshem. Prehu ne paqe Arzana! Ngushellime familjes Kraja dhe gjithe komunitetit.

Ilir Bokshi: Lamtumirë Arzanë!

Shkumbin Istrefi: Na shokove Arzane. U prehshe ne paqe.

Alban Muja: Lajm trishtues ikja e hershme e Arzanes. Ngushellime familjes Kraja!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme