Kulturë

Regjisorja që idealizmin e shndërroi në art

Në fletoren e saj shpesh vizatonte një pemë me gjethe. Shkruante vazhdimisht dhe stili i saj elegant përshkonte skenarët me rrëfime të thella. Filmi i saj “Fusha e mëllenjave” ishte një tribut për idealistët. Regjisorja Arzana Kraja është vlerësuar për krijimtarinë e saj në artin e të bërit film dhe të shkruarit skenarë

Një regjisore që thellohej në shkrimin e teksteve dhe skenarëve në një stil elegant. E afërt dhe e dashur për të gjithë, Arzana Kraja, që u gjet e vdekur paraditen e së mërkurës në apartamentin e saj në lagjen “Kalabria”, është vlerësuar për profilin e saj të gjithanshëm prej artisteje.

çështje ditësh kur ajo do të mbronte temën e diplomës në nivelin master për skenar filmi.

Dromca kujtimesh e bisedash me të ndjerën janë evokuar të premten në takimin përkujtimor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Teksa në projektor shfaqej një fotografi me profilin e saj, salla përshkohej lehtazi prej këngës “While My Guitar Gently Weeps” të “The Beatles”, një prej më preferuarave të regjisores që u nda nga jeta në moshën 38-vjeçare. U varros të enjten në varrezat e Prishtinës.

Aktori Armend Smajli, që ka moderuar komemoracionin e organizuar nga komuniteti artistik, ka thënë se Arzana Kraja ishte idealiste në përpjekjen e saj për një botë më të mirë.

“Ajo thoshte se ‘na duhen idealistë dhe zëri i tyre’. Ishte idealiste për një botë më të mirë e më të drejtë. Në sirtarin e Arzanës mbesin shumë skenarë, rrëfime, të vërteta e të pathëna”, ka thënë ai.

Sipas Smajlit, regjisorja e ndjerë e donte skenarin dhe aftësia e të shkruarit ishte arma më e fortë e saj.

"Ajo e respektonte gjuhën shqipe dhe vlerësonte rëndësinë e saj duke shkruar gjithnjë me elegancë”, ka shtuar Smajli për regjisoren Kraja, e bija e shkrimtarit Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kolege në studime, Zana Radogoshi ka evokuar momente të shumta nga miqësia e saj me Krajën, për të cilën ka thënë se ishte pjesë e përditshme e formimit të secilit.

“Arzana nuk ka qenë vetëm një shoqe, por pjesë e përditshme e formimit të shumicës prej nesh”.

Ka thënë gjithashtu se ajo e donte muzikën dhe se e vetmja muzikë kiç që pëlqente ishte ajo e këngëtares Shakira.

“Ajo vallëzonte më së miri, vallëzonte me krejt shpirtin dhe e përjetonte muzikën. Nuk ishte vetëm artiste, madje e kishte shprehi që në fletoren e saj të vizatonte gjithnjë një pemë me gjethe. Arzana e gjeti pemën e vet”, ka theksuar Radogoshi.

Image

Mes lotësh e dënesave, aktori e producenti Shkumbin Istrefi ka përkujtuar momentet e bashkëpunimit me Krajën, me të cilën kishte qenë bashkëregjisor në serialin “Kafeneja jonë”. Madje, ajo ia kishte besuar atij edhe rolin e Sylës në filmin e metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, me të cilin sivjet u bë hapja zyrtare e edicionit të 11-të të “PriFest 2019”.

“Mbaj mend që ishim fjalosur paksa me të për fjalën ‘mëllenjë’, për të cilën unë thosha se njerëzit nuk e kuptojnë. Por Arzana thoshte se njerëzit duhet të mësojnë e të lexojnë më shumë”, ka thënë Istrefi.

Ai ka theksuar se regjisorja Kraja kërkonte përkushtim edhe në projekte zbavitëse, siç kishte qenë seriali “Kafeneja jonë”.

“Do t’i përmbledh disa veti të saj: lexonte edhe kur nuk është në modë leximi, ishte shok edhe kur ky virtyt është shndërruar në interes e manipulim”, ka thënë Istrefi. “Ajo mbronte vlerat njerëzore, nuk bënte kompromis me vlera, por në fund bëri kompromis me jetën e saj”.

Ndërkaq profesori i saj, Zymber Kelmendi, ka thënë se Arzana së shpejti do të mbronte temën e diplomës. Kishte qenë përherë e rregullt në ligjërata duke reflektuar bagazhin e saj të pasur prej artisteje.

“Të mentorosh punën e studentëve është gjithmonë kënaqësi, por të mentoroje punën e Arzanës ishte privilegj. Ajo erdhi me një bagazh artistik që e kishin lakmi edhe artistët me përvojë. Vepra, filma e skenarë filmash e bëjnë Arzanën artiste në kuptimin e plotë të fjalës”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka vlerësuar se Arzana sapo kishte filluar një karrierë të shkëlqyeshme duke shtuar se “ajo nuk ishte vetëm regjisore e fotografive të pamjeve të bukura, por edhe skenariste e fjalëve të thella”.

“Jam i bindur që sot shpirti i saj i bardhë na dëgjon, prandaj do t’ia komunikoj asaj vlerësimin maksimal për temën e saj të diplomës”, ka përfunduar Kelmendi.

Gresa Kraja, motra e regjisores Arzana Kraja, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni përkujtimore.

“Faleminderit që po e ndani dhembjen me ne. Arzana ka qenë shpirti i parë që na la fizikisht, por shpirti i saj do të jetë gjithmonë i buzëqeshur dhe duke kënduar”, ka thënë ajo.

Në fund të ceremonisë, shumica e të pranishmëve janë ngritur në këmbë dhe me një duartrokitje njëminutëshe kanë nderuar kujtimin për regjisoren Kraja.

E lindur më 2 janar të vitit 1981, Kraja ishte regjisore e filmit dhe e televizionit. Studimet i kishte përfunduar në Degën e Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ishte regjisore, asistente e regjisë e producente në disa televizione e produksione vendore. Kraja kishte qenë njëra prej themeluesve dhe udhëheqëse e departamentit të filmit në festivalin ndërkombëtar studentor për film dhe teatër, “Skena UP”, nga viti 2002 deri më 2007. Ajo ishte autore e tetë filmave të shkurtër, ku veçohen “Kulla e sahatit” e “Shkurta”, si dhe tre filmave dokumentarë, mes të cilëve edhe “Përmes syve të mi” dhe “Kosova ime”.

Image

Faleminderit për gjithë çfarë ke bërë

Zymber Kelmendi

Ishte dita e martë kur kontaktova me Arzanën. Më kërkoi të takoheshim për një kafe, atë ditë ose të mërkurën. Pasi i tregova që të martën isha i zënë me ligjërata, u dakorduam që të takoheshim të mërkurën. Ishte dita kur duhej të diskutonim edhe për detajet e fundit të temës së diplomës të Arzanës. Por... Ajo nuk erdhi! Ishte gjithmonë e rregullt në çdo ligjëratë, por atë ditë nuk erdhi. ... Mungoi! Mungesë e pashlyeshme! Por kësaj radhe jo për Arzanën, por për mua si profesor i saj, për Fakultetin, për filmin, për artin… për të gjithë!

Të jesh mentor i punës së studentëve është përgjegjësi dhe kënaqësi, por të mentorosh punën e një artisteje, siç ishte Arazana Kraja, është edhe privilegj. E unë e kisha një privilegj të tillë. Arzana kishte përfunduar studimet bazike për Regji Filmi, kur erdhi në master, në Skenar Filmi. Ajo nuk erdhi vetëm me studime të përfunduara. Ajo erdhi me një bagazh artistik, të cilin do ta kishin lakmi edhe artistët me më shumë përvojë. Filma të shkurtër, dokumentarë, realizime në TV, e së fundmi një vepër të arrirë artistike në kinematografi, “Fusha e mëllenjave”, që e bëjnë Arzanën një artiste të kompletuar.

Kisha fatin që gjatë këtij viti të jem afër Arzanës në procesin e punës së saj kreative, jo si udhëheqës, por si bashkërrugëtar, pasi Arzana Kraja nuk ishte vetëm “regjisore e imazheve të bukura, por edhe skenariste e ideve të thella”.

Ne, komuniteti artistik, e njohim punën e Arzanës, atë që ajo ka bërë, ashtu siç jemi të vetëdijshëm që ky ishte vetëm fillimi i një karriere të shkëlqyer që ajo kishte përpara. Unë njoh dhe kam edhe një vepër të saj. Një vepër për të cilën do të kujdesem, me aq sa kam mundësi dhe me aq sa më lejohet, që të jetësohet filmikisht. Bëhet fjalë për skenarin e saj “PA TITULL”, skenar të cilin Arzana e ka punuar së fundmi si punim diplome. Një skenar të shkëlqyer. Edhe një vepër që ajo na e la neve, jo vetëm për ta kujtuar atë, por për të reflektuar për veten tonë.

Kam biseduar disa herë me Arzanën për skenarin, e dija çfarë do t’i thosha në ceremoninë e mbrojtjes së temës së diplomës... Edhe si do të reagonte ajo me modestinë e saj, ashtu e qeshur dhe e njerëzishme, siç ishte çdoherë, por sot, i bindur që shpirti i saj i bardhë më dëgjon, i them: “Arzana Kraja, si mentor yti dhe si anëtar komisioni, të them se vlerësohesh me NOTËN Maksimale. URIME!“

Faleminderit për gjithë çfarë ke bërë!

U prehsh në paqe, Arzana!

Fjala e lexuar në takimin përkujtimor për Arzana Krajën


Arzana nuk bënte kompromis me vlerat, por bëri kompromis me jetën

Shkumbin Istrefi

Jemi mbledhur këtu për ta përkujtuar dhe nderuar Arzanën, që fizikisht nuk është më me ne, dhe veprën e saj që na e la dhe do të jetojë përgjithmonë.

Unë jam njëri prej shumë shokëve e bashkëpunëtorëve të Arzanës. Kemi punuar bashkë me Arzanën në serialin “Kafeneja jonë” çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit, për më shumë se dhjetë vjet. Periudhë e gjatë. Shumë prej nesh herë pas here e konsideronim atë projekt si zbavitës, që nuk do shumë përkushtim. Por, Arzana jo. Arzana kërkonte vlerë dhe sukses.

Mua ma ka dhuruar një rol jetësor, rolin e Sylës, në filmin e saj të mrekullueshëm “Fusha e mëllenjave”, për të cilin i jam mirënjohës përjetësisht.

Po e përmend bashkëpunimin ndër vite që kemi pasur, sepse përmes bashkëpunimit dhe punës së saj kam arritur ta njoh si njeri.

Pa dashur t’i numëroj shembujt dhe situatat e shumta gjatë punës që kemi kaluar, përmes të cilave njerëzit e njohin njëri-tjetrin, dua t’i përmbledh disa veti të Arzanës, që kam arritur t’i njoh.

Arzana ishte e përkushtuar në punë, në kohën kur kjo cilësi nuk vlerësohet.

Lexonte, kur leximi konsiderohej humbje kohe.

Kërkonte dije, kur dija nuk është në modë.

Ishte shok, kur ky virtyt është shndërruar në interes e manipulim.

Arzana insistonte në vlerë edhe aty ku të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë.

Arzana mbronte vlerat njerëzore dhe mbeti njeri me vlera që sot rrallë mund t’i hasim.

Nuk bënte kompromis me vlerat, por bëri kompromis me jetën.

E kam tejet të vështirë ta kuptoj e ta pranoj që Arzana iku e na la, por jam përjetësisht falënderues dhe krenar që pata rastin ta njihja e të punoja me të.

Ngushëllime!

Fjalë e lexuar në takimin përkujtimor për Arzana Krajën.