Kronikë

Një grua arrestohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Foto: Policia e Kosovës / screenshot

Një grua që punonte në një sektor të pagesave të tatimit në pronë, është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare, derisa për përfitime personale, ka lëshuar vërtetime të pagesave në pronë pa dëshminë se personat në fjalë, janë liruar nga taksa prej 10 eurosh.

Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njofton se pasi ka pranuar informatën për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në komunën e Prishtinës, ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore.

“Dyshimet hidheshin mbi një të dyshuar në sektorin e pagesave të tatimit në pronë”, thuhet në komunikatë.

Pas hetimeve disa javore, thuhet në njoftim, hetuesit e NJRHKEK-së, kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., viti i lindjes 1980, f/k/sh, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj.

“Nga muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 euro (vërtetime për regjistrimin e automjeteve)”, thuhet në komunikatë.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, sigurimit të dëshmive, intervistimit të dëshmitarëve dhe intervistimit të të dyshuarës në prezencën e avokatit, në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore Prishtinë, e dyshuara dërgohet në mbajtje prej 48 orë.