Kronikë

Raportohet për plagosjen e një të riu shqiptar në malin mes Kosovës e Serbisë

Descriptive Text

Mediat shqiptare në Luginë të Preshevës kanë raportuar për plagosjen e një të riu shqiptar në malin mes Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari Komunal i Medvegjës, Florim Sahiti, ka thënë se Policia serbe ka plagosur rëndë Milazim Muratin nga Gërbaci i Komunës së Medvegjës.

Ndërkaq Sahiti, në një deklarim për LuginaLajm, ka theksuar se 34 vjeçari Murati është plagosur rëndë në malin që ndan Kosovën dhe Serbinë, ku Milazimi ishte i punësuar si roje mali, derisa nuk precizon nëse ka qenë i punësuar nga institucionet e Kosovës apo ato të Serbisë.

“Para dy-tre orëve është plagosur rëndë Milazim Murati nga Gërbaci i Medvegjës. Sipas informatave që i kemi, ai është duke u transportuar nga spitali i Gjilanit drejt QKUK-së në Prishtinë, pasi që ka marrë plagë tejet të rënda”, ka theksuar Florim Sahiti, këshilltar nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë.

Ai gjithashtu ka sqaruar se plagosja e Milazim Muratit është bërë nga policia lokale dhe jo nga ajo e njësitit të xhandarmerisë.

Për këtë rast ka reaguar edhe Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar (KNSH).

“Një lajm sa i hidhur po aq i tmerrshëm. Plagoset i riu Milazim Murati nga Gërbaci i Medvegjës, nga autoritet policore. Le të lutemi që të shpëtojë nga fataliteti”, shkroi Mustafa në Facebook.

Lajmin për plagosjen e të riut e ka konfirmuar për Koha.net edhe Ejup Govori, mjeku kujdestar në QKUK.

“Gjendja e tij është stabile dhe është i vetëdijshëm, ndonëse ka pësuar dy plagë nga arma e zjarrit. Ka pësuar dy plagë në anën e djathtë të trupit, një në abdomen dhe një në krah”, ka thënë Govori.

Ai ka shtuar se pacienti u ka thënë se është nga Medvegja dhe jeton në Kamenicë.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, për rajonin e Gjilanit, ka konfirmuar rastin e plagosjes në zonën kufitare Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë për Koha.net se informatën për një të plagosur në zonën kufitare me Serbinë e kanë marrë pasditen e së martës. Sipas tij, rasti ka ndodhur në fshatin Shahiq të Kamenicës.

“Personi i lënduar është sjellë në emergjencën në Gjilan, e për trajtim të mëtejmë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, ka thënë ai.