Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përleshje e migrantëve në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë

Një migrant është plagosur dhe dhjetëra të tjerë janë arrestuar pas përleshjes së tyre në qytetin serb në kufi me Hungarinë, ka njoftuar policia. Autoritetet kanë gjetur një 20-vjeçar të plagosur dy herë në gjoks pasi i janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë nga banorët e qytetit Horgos, të cilët kanë raportuar për sulmet me armë të migrantëve. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gjashtë migrantë të tjerë.

Policia serbe ka nisur një aksion për arrestimin e gjithë personave të përfshirë në incident dhe në trafikimin e njerëzve. Në mediat serbe janë transmetuar pamjet e një grupi të madh të burrave të armatosur që kalonin nëpër qytet në drejtim të kufirit me Hungarinë.

Numri i migrantëve që synojnë kalimin në Evropën Perëndimore nëpërmjet Ballkanit është ngritur në muajt e fundit. Shumë prej tyre janë vendosur në kufi me Hungarinë dhe presin kalimin nga grupet e trafikimit.