Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për rrëmbim e kanosje

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve G.G. dhe L.O., për veprat penale “Rrëmbim”, “Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve“ dhe “Kanosje“.

Prokuroria përmes një njoftimi për media, thotë se të pandehurit G.G. dhe L.O., më 24 shkurt 2019, në fshatin Llaushë të Skenderajt, me përdorimin e forcës dhe të kanosjes duke përdorur armën, e kanë marrë dhe mbajtur viktimën M.G., me qëllim që të mos e lirojnë para se i njëjti t’u ofrojë të pandehurve dobi pasurore.

“Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, i pandehuri G.G., ka pasur në posedim armën e tipit “Skorpion”, dhe me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndërkaq, i pandehuri L.O., më 25 shkurt 2019, e ka thirrur dhe kërcënuar seriozisht viktimën M.G, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.​