Kronikë

Dënohen dy persona për posedim dhe shitje të narkotikëve

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve F. Th. dhe L. M.

Sipas njoftimit, të akuzuarit janë fajtor, sepse me datë 24 janar 2019, rreth orës 16:00 minuta, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Ponesh, gjatë një kontrolli të zyrtarëve policor, është gjetur substancë narkotike e llojit “marihuanë”.

I pandehuri F. Th. ka marr substancën narkotike nga një person i panjohur në Prizren në peshë prej 52.37 kilogram, për të transportuar tek i pandehuri L. M. nga Gjilani, i cili ka qenë duke e pritur në parkingun e ETC-së në Gjilan.

Gjykata thotë se me këto veprime i pandehuri F. Th. ka kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa i akuzuari L. M. ka kryer veprën penale të mbetur në tentativë “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit F. Th., duke i shqiptuar dënim prej tre vite burgim dhe gjobë në shumën prej 5.000 Euro, ndërsa për të akuzuarin L. M. dënim prej dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 5.000 Euro gjobë.”, thuhet tutje në njoftim.

Gjykata ka nxjerrë aktvendim, ku të pandehurve në fjalë do t’iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.