Përshkrimi në detaje i Prokurorisë për dyshimet ndaj skemës për fajde e mashtrim

Përshkrimi në detaje i Prokurorisë për dyshimet ndaj skemës për fajde e mashtrim

21 May 2019 17:14

Prokurori i shtetit, i Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Ismet Osmani, Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Rrahim Hashimi, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale fajde, detyrim dhe mashtrim.

Në aktvendimin që e ka siguruar Koha Ditore, përshkruhet gjithë ecuria e ngjarjes që çoi në arrestimin e pesë të pandehurve, derisa mbeten në kërkim edhe dy të tjerë.

Prokuroria, në kërkesën për masën e paraburgimit ka treguar para Gjykatës, se “të pandehurit Rrahim Hashimi, Ekrem Lika përmes Sami Nikës në muajin qershor 2012 ia japin një borxh në shumë 350,000.00 euro (nga të cilat 100,000.00 euro transfer bankar dhe 250,000.00 euro në dorë), të dëmtuarit Faton Dalladaku”.

“Për të siguruar kthimin e borxhit, ata lidhin një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë-shtëpisë, në qytezën Pejton në Prishtinë, e ku i pandehuri Sami e evidenton në kadastër si pronë të tij, dhe duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit Faton me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër ashtu që me kamatë mujore 7%, e cila që gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Sami nga i dëmtuari Faton merr kamatën në shumë 50,000.00 euro, kurse te pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika ne emër te gjetjes se parave nga Sami Nika i marrin nga i dëmtuari Faton nga 10000 euro secili. Me këtë kanë kryer veprën penale Fajde nga neni 343 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK”, thuhet në aktvendim.

Si pikë e dytë, aty është deklarimi i Prokurorisë se “të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku: Në periudhën fund viti 2013 dhe fillim te 2014 duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ata shtojnë presionin ndaj të dëmtuarit, Fatonit dhe me këtë rast këta në bashkëpunim duke kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër ia japin Sahit Paqarizit shumën 250,000.00 euro sepse toka prej 3 hektarësh ne magjistralen Prishtine Ferizaj 8 km nga Prishtina e cila kishte vlere 600.000 euro ishte e Sahit Paqarizit, ashtu qe ai e bëri bartjen e pronësisë se kësaj toke, ndërsa për te njëjtën shumë pra 600,000.00 euro (250 000 euro plus 350 000 euro) e ngarkojnë te dëmtuarin Faton Dalladakun si borxh i ri por gjithnjë në bashkëpunim edhe me tej te pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Fatonit sipas kontratës me Samiun. Me këtë kanë kryer veprën penale Fajde nga neni 343 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK”.

Rasti i tretë është ai në “pasi në periudhën e fillim i vitit 2014 i dëmtuari Fatoni dështon ne kthimin e shumës fillestare 350 000 euro, i pandehuri Sami Nika ne bashkëkryerje me të pandehurit Ismet Osmani dhe Ilir Bojku me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdor kanosjen serioze për të detyruar te dëmtuarin Faton Dalladaku të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij. Fillimisht kanë shkuar ne lagjen Pejton, në rrugën Perandori Justinian, ku është prona e cila ishte objekt i shitblerjes mes Samiut dhe Fatonit, dhe kane hyre ne shtëpi, me ç’rast me veprime kërcënuese dhe me tone te ashpra kane komunikuar me dëshmitarët Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj punëtorë ne firmën ‘Design Factory’ e cila kishte zyrat aty, dhe tentuan që me forcë të merrnin çelësin e shtëpisë nga Muharremi i cili edhe pse pati kërcënime në adresë të vetes dhe të Fatonit fillimisht refuzoi tua jap, por pas këmbëngulësisë dhe ashpërsisë se sjelljes se tyre, u detyrua tua jap”.

“Po ashtu mbas disa muajsh të tre të pandehurit e detyrojnë te dëmtuarin Faton Dalladaku te ua jap një prone në sipërfaqe 3 hektarësh në lokacionin afër QMI-së, vlera e të cilës është rreth 900,000.00 euro por për borxhin e arritur i llogaritet vetëm 700,000.00 euro me këtë rast Sami Nika nuk ia kthen shtëpinë Faton Dalladakut, por vazhdon qe ta mbaj edhe me tutje ne emrin e tij, ashtu që në vitin 2017 sipas një marrëveshje, të njëjtën ia shet Adil Thaqit në shumë 260,000.00 euro, me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Detyrimi nga neni 340 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK”, thuhet në Aktvendim.

Më pas, si pikë e katërt, sipas prokurorisë, në shtator të vitit 2015 i pandehuri Mentor Maqani kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Faton Dalladaku, që të blejë pronën 5 hektarësh afër QMI-së në të cilën i dëmtuari Fatoni kishte një leje ndërtimi për spital, e që me kapital të tij veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro, duke i paguar 700,000.00 euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Euromed”.

“Marrëveshja ishte ashtu që Mentori ta blinte borxhin prej 450,000.00 euro-ve nga të pandehurit Ilir Bojku, Ismet Osmani dhe Sami Nika të paraqitur në dispozitivin II duke e liruar nga ky borxh te dëmtuarin Faton kurse mbetjen prej 250,000,00 eurove t’ia paguante Fatonit. Me datë 05.09.2015 i pandehuri Mentor ia transferoi shumën 100,000.00 euro Fatonit , dhe ia dha dy vetura ne vlere 150,000.00 euro. Me këtë ka kryer veprën penale Fajde nga neni 343 par.3 të KPRK”.

Si pikë e pestë e prokurorisë, është ajo kur në “muajin mars 2016 i pandehuri Mentor Maqani me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, njëanshëm ndërpreu marrëveshjen verbale te cekuar ne dispozitivin IV dhe ia mori te dy veturat te dëmtuarit Fatonit ia llogariti 80,000.00 euro shfrytëzim te veturave dhe punën e kompanisë ‘Albioni’ dhe duke përdor kanosjen serioze kërkoi mbetjen prej 582,000.00 euro prej të dëmtuarit Faton Dalladaku ashtu që e detyron të njëjtin të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij, të pranojë imponimin, se ka obligim ndaj Mentorit. I dëmtuari Faton bie në kontakt me Adil Thaqin që të jetë ndërmjetësues tek Mentori për shtyrje të afatit të borxhit, ashtu që fillimisht me Adil Thaqin arrihet marrëveshje verbale që borxhi i imponuar 582,000.00 euro, të shtyhet deri në natën e fundit të vitit 2017 dhe po ashtu me date 30.05.2017 bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton ku Adil Thaqi ia pagoi Sami Nikes 260.000 euro, me kusht që nëse Fatoni nuk arrin të paguajë këtë borxh, atëherë i dëmtuari Faton merret vesh me Sami Niken dhe Adil Thaqin që shtëpia në Pejton, ti shitet Adil Thaqit. Me këtë ka kryer veprën penale Detyrimi nga neni 340 par.2 të KPRK”, ka sqaruar prokuroria.

Në pikën e gjashtë, Prokuroria tregon se në janar të vitit 2018 i pandehuri Adil Thaqi i cili ishte si ndërmjetësues në dispozitivin V me anë të paraqitjes së rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e mashtron të dëmtuarin Faton Dalladaku se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse nga transaksionet financiare shihet se nuk kishte të holla 260,000.00 euro për pagesën e kryer për Sami Nikën. Sipas prokurorisë, me këtë ai ka kryer veprën penale mashtrimi, nga neni 335 par.5 të KPRK.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme