Arrestohen shtatë persona për fajde Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Prokuroria thotë se vetëm pesë persona janë arrestuar për fajde, dy janë në kërkim

20 May 2019 14:41
15:44

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se lidhur me kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi” janë arrestuar pesë persona ndërkaq dy prej tyre janë në kërkim.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton opinionin se dy prej të dyshuarve, lidhur me kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, janë në kërkim, ndërsa pesë prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria më herët përmes një komunikate kishte njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar shtatë persona.

Burimet e Kohës Ditore tregojnë se të dyshuarit Zekë Jasiqi e Ekrem Lika janë në arrati.

Ndërkohë Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje nga operacioni i koduar “Dallga”.

Ky është njoftimi i plotë:

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas një hetimi të gjatë të iniciuar në fillim të vitit 2018, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, sot ka realizuar një operacion të gjerë policor i cili ka përfshirë rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës.

Operacioni policor i koduar ,,DALLGA” ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, nën mbështetjen e Njësive për Reagim të Shpejtë, ku target i veprimeve hetimore dhe bastisjeve kanë qenë shtatë (7) lokacione, prej tyre pesë (5) në regjionin e Prishtinës, një (1) në regjionin e Pejës dhe një (1) në regjionin e Gjakovës.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar pesë (5) persona, përderisa dy (2) mbeten në kërkim policor:

I. O. viti i lindjes 1964 m/sh/k

I. B. viti i lindjes 1969 m/sh/k

A. Th. viti i lindjes 1979 m/sh/k

M. M. viti i lindjes 1980 m/sh/k

Rr. H. viti i lindjes 1979 m/sh/k

E. L. mbetet në kërkim policor

Z. J. mbetet në kërkim policor

Personat e lartcekur janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, të cilët vite më parë kanë pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme - joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme (dy shtëpi në Prishtinë, një objekt, automjete dhe para).

Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra kundërligjore dyshohet/vlerësohet mbi 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se tejkalon vlerën prej 6 milion euro.

Në cilësi të provave materiale gjatë operacionit policor janë sekuestruar:

para të gatshme prej 10,250.00 €,

dokumente të ndryshme, kontrata të ndryshme të shitblerjeve,

telefona (tre Iphone X, një Iphone X Max, një Iphone 8, një Samasung,dy Nokia ).

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim të tij, pesë (5) personat e dyshuar tanimë të arrestuar dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy (2) personat tjerë janë në kërkim policor.

14:41

Arrestohen shtatë persona për fajde

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot, ka ndaluar Ismet Osmanin, Ilir Bojkun, Adil Thaçin, Mentor Maqestenën, Rrahim Hashimin, Ekrem Liken, dhe Zekë Jasiqin, me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajdeja”.

Gjatë aplikimit të masave teknike të vëzhgimit dhe hetimit, sipas urdhëresës së Gjykatës, më 20.05.2019, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin e bastisjes në disa lokacione të Prishtinës, me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarit e lartcekur.

Me urdhër të prokurorit të çështjes, të njëjtit janë ndaluar për 48 orë, ndaj të cilëve pritet që në afatin ligjor të ushtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Koha Ditore ka raportuar në mëngjes për arrestimin e bosit të kazinove dhe bastoreve, Ismet Osmani i njohur si “Curri”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme