Një këmbësor në Gjakovë është goditur nga një autobus me ç’rast ka marrë lëndime trupore.
Përmes një komunikate për media nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, thuhet se rasti ka ndodhur rreth orës 08:35, në rrugën “ Nëna Terezë” Gjakovë, në afërsi të Gjykatës Themelore.
“I dyshuari Sh. M., i moshës 35 vjeç nga fshati Skivjan, Komuna e Gjakovës, duke drejtuar autobusin e firmës “ ALPET”, në drejtim të qendrës së qytetit, ka goditur një këmbësor”, thuhet në raport.
Këmbësori i cili ka marrë lëndime trupore, është A.T., rreth moshës 70 vjeç nga rrethi i Hasit të Shqipërisë, dhe është dërguar në Repartin e Emergjencës, në Spitalin Rajonal “ Isa Grezda “, në Gjakovë.