Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm - Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.ZH. për veprën penale të ricilësuar dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 388 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, transmeton Koha.net.
“I akuzuari B.ZH. ka ndihmuar të pandehurit B.A. dhe G.M. të cilët gjenden në arrati, që pas kryerjes së veprës penale të sulmit ndaj të dëmtuarit S.Z. ish-ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke qenë në dijeni dhe me dashje ka kontribuar në krijimin e kushteve për kryerjen e veprës penale, duke i transportuar të pandehurit nga vendi i ngjarjes në drejtim të Podujevës”, thuhet në komunikatë.
I dëmtuari S.Z. në realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.